Truket per tu pastruar

Shiheni në pasqyrë dhe nuk ndiheni rehat me veten? Veshjet ju ngushtojnë në “pikat kritike” të trupit dhe pas vakteve e keni barkun të fryrë si top futbolli? Nuk dilni rregullisht në banjë dhe në mbrëmje i keni këmbët e fryra? Është koha për t’iu gjetur një ilaç të gjitha këtyre problemeve.

Një dietë “pastruese” e bërë në mënyrën e duhur mund t’iu rinojë trupin dhe mendjen. Sipas specialistes së mirëqenies Alyacea Ungaro, personi më i dashur për yjet e Hollivudit, ekziston një përbërës psikologjik pastërtie, i cili të ndihmon të nxjerrësh të keqen nga trupi.

Për të arritur këtë nuk ju ndihmon vetëm dieta. Ju mund të provoni nga banjat me ujë të kripur te metodat e vjetra, si ajuveda ose agopuntura, për t’u ndier më të lehta dhe të pastra brenda.

AGOPUNTURA
Kjo praktikë e lindur para pesëmijë vjetësh kuron çdo gjë, nga problemet me lëkurën te dispepsitë. Edhe personat që vuajnë nga kapsllëku dhe fryrja e barkut mund të gjejnë menjëherë shërim. Mjeshtërit e agopunturës i dallojnë helmet e trupit duke ekzaminuar gjuhët e pacientëve dhe në bazë të ngjyrës arrijnë të kuptojnë gjendjen e organeve të brendshme. Kështu ata fusin gjilpëra të holla në zona të caktuara të trupit, në mënyrë që të rigjejnë ekuilibrat e energjisë.
KARBONI

Për qindra vjet japonezët e kanë përdorur karbonin që mbetet nga djegia e drurit të bardhë për të thithur substancat e ndryshme, nga helmi te refluksi i ushqimeve, që shkaktojnë shumë probleme dhe aromë të keqe të gojës. Poret e karbonit në fakt thithin gazet dhe helmet e trupit. Qymyr druri, në tableta ose kapsula, është shumë i këshillueshëm për të luftuar fryrjen e barkut dhe meteorizmin (gazra të tepërt të barkut), shqetësime që vërehen pas ngrënies së një vakti, ose shfaqen veçanërisht në darkë, pasi keni ngrënë shumë.

KAFEJA
Nëse ia bashkëngjisni një diete të shëndetshme, kafeja (ashtu edhe çaji), përveçse mund t’iu ndihmojnë për t’u dobësuar, është në gjendje të stimulojë metabolizmin bazë. Veç të tjerash kafeina është mjaft e përdorur edhe te produktet kozmetike, sidomos te kremrat, për të trajtuar dhjamin në zona të caktuara dhe për të luftuar lëkurën e urryer të portokallit. Gjithashtu kafeina është e shkëlqyer për të luftuar edhe celulitin.

KRIPA
Kripa lufton inflamacionet e ndryshme dhe prodhon jone negative, grimca të shpërndara nëpër ajër, të cilat janë në gjendje të na dhurojnë mirëqenie (ja përse ajri i pastër i plazhit na bën të ndihemi mirë si nga gjendja fizike ashtu edhe ajo psikologjike). Një banjë me ujë të kripur, dy ose tri herë në javë, ndihmon në luftimin e celulitit, eliminon helmet e trupit dhe aromatizon lëkurën. Ideale do të ishte kripa e bardhë që përdorim për të gatuar, ose kripa integrale e detit. Mbushni vaskën me ujë të vakët, pastaj hidhni kripë, disa alga dhe esenca të ndryshme vajore. Të jeni të sigurt se pas kësaj banje do të ndiheni shumë më mirë.

AJURVEDA
Kjo teknikë e lashtë kuron shqetësimet e ndryshme, siç janë aknet, duke përdorur esenca vajore që pastrojnë lëkurën dhe e çlirojnë nga helmet. Është ideale për t’i kthyer lëkurës substancat ushqyese. Aloe vera është një nga bimët më të dobishme për të kuruar këtë shqetësim antiestetik dhe për t’i larguar aknet përgjithmonë nga lëkura.

RREZET INFRA TE KUQE
Nxehtësia e prodhuar nga këto rreze është një aleat i shëndetit fizik dhe psikologjik. Bëhet fjalë për një teknikë të përdorur edhe nëpër spitale. Nxehtësia futet në lëkurë duke ngrohur menjëherë trupin dhe ajrin përreth. Poret e lëkurës hapen, duke çliruar qelizat e vdekura dhe helmet. Rrahjet e zemrës rriten dhe enët e gjakut zgjerohen. Perfekte për këtë do të ishin kabinat prej druri, ku mund të shijohet një atmosferë rigjeneruese.