Thuaj stop dëshirës për të ngrënë me një pjatë të kuqe

Shpeshherë sasia e ushqimit që konsumojmë është e lidhur me gjendjen tonë psikologjike. Ky mund të jetë kyçi i një hileje që mund të përdorin ata që kanë nevojë për dietë. Sipas një studimi të publikuar në revistën “Appetite”, të hash në një pjatë të kuqe mund të ndihmojë në rënien në peshë.

Servirja në pjata dhe gota të kuqe e ushqimeve dhe pijeve e ul konsumin e tyre me 40 për qind thonë shkencëtarët gjermanë dhe zviceranë. Sipas tyre, truri ynë e lidh ngjyrën e kuqe me rrezikun dhe gjërat e ndaluara, duke na ndihmuar në këtë mënyrë të shmangim konsumin e tepërt.

Autorët e studimit sugjerojnë që qeveritë e këtyre vendeve të vendosin përdorimin e paketimeve të kuqe për ushqimet e pashëndetshme dhe pijet që konsumohen në lokalet e natës.

Gjatë testeve mbi bazën e të cilave u ngrit studimi, 41 studentëve meshkuj iu kërkua të pinin çaj nga gota të kuqe dhe blu. Në fund u pa që gotat e kuqe ishin përdorur 44 për qind më pak.

Në pjesën e dytë të testit, 109 personave iu dha një gatim i shijshëm i servirur në pjata të bardha, të kuqe dhe blu. U vu re që numri më i madh i pjatave të paprekura ishin të kuqe.