Të qash është e shëndetshme – ja përse!

Kafshët nuk qajnë, por pse qajnë njerëzit dhe a ekziston ndonjë dobi shëndetësore prej këtij fenomeni? Ekspertët theksojnë se lotët janë të dobishëm.

Ekspertët nga universiteti Indiana para pak kohe kishin zbuluar se meshkujt që qajnë kanë më tepër vetëbesim se sa ata që mbajnë lotët, por të qarit është i dobishëm edhe në disa mënyra tjera. Faktet theksojnë se lotët pakësojnë alergjitë si dhe zbutin dhimbjet tek artriti reumatoid.

Me sa duket, të qarit rregullon edhe sistemin imun. Në një studim të vitit 2006 ku ishin përcjellë reagimet e 60 personave të cilët kishin vuajtur nga alergjitë dhe ekzema derisa ata kishin shikuar dramën familjare Krameri kundër Kramerit. Para filmit në lëkurë u kishin vendosur lateks, e më pas u ishte matur reagimi. Në krahasim me ata që nuk kishin derdhur lot, të tjerët kishin më pak reagim ndaj lateksit.

Studimi japonez me pacientët që vuajnë nga sëmundjet autoimune të artirit reumatoid kanë zbuluar se ata të cilët qajnë ndjenë më pak dhimbje dhe më pak simptoma se ata që kishin qëndruar ‘të thatë’.

Analizat e gjakut menjëherë pas qarjes ka treguar se niveli natyral i kemikaleve imune që përkeqësojnë këtë sëmundje ishte më e vogël dhe se këta pacientë pas një viti më mirë kontrollonin sëmundjen e tyre. Shumë ekspertë theksojnë se lotët janë mbrojtje natyrale ndaj trupit kundër stresit dhe hormoneve të ngjashme që mund ta dëmtojnë trupin e njeriut. Të qarit qetëson trupin dhe sistemin nervor pas një ngjarje stresuese si dhe ngadalëson ritmin e zemrës.

Kur qajnë meshkujt e kur femrat?

Sipas rregullave, femrat qajnë më shumë, por me sa duket të dyja gjinitë qajnë mesatarisht njëjtë pas ngjarjeve që i përcjellin në jetë, për shembull vaji për të vdekurit. Kështu shpjegon profesori Ad Vingerhots, psikolog dhe ekspert në fushën e të qarit, i cili punon në universitetin Tilburg në Holandë. Mirëpo, në krahasim me femrat, meshkujt shkaku i gjërave pozitive qajnë më shumë, përderisa lotët e femrave më shumë rrjedhin si pasojë e ngjarjeve negative. Për një dallim të tillë ekspertët fajësojnë hormonet.

Profesori Vingerhots thekson se më shpesh do qajmë nëse jemi pa gjumë apo jemi nën ndikimin e alkoolit, ngase të dyja këto, zvogëlojnë kontrollin ndaj ndjenjave dhe reagimeve.