Të mendosh jeshil

Të mendosh jeshilSado që i pëlqejmë ngjyrat në përgjithësi, njëra është gjithmonë pak më e dashur dhe e veçantë për ne. Në rastin e Ersi Ngjelës, ngjyra e preferuar është pikërisht jeshilja. “Po të kisha mundësi të ndryshoja botën”, thotë ajo, “do ta bëja atë më jeshile”. Pasionin e saj për jeshilen e ka dokumentuar në një shërbim të veçantë fotografik Edvina Meta…

Jeshilja është ngjyra e balancës, harmonisë e optimizmit. Ajo të ndihmon të duash veten e të tjerët në mënyrë të pakushtëzuar. Pse këshillohet për të gjithë kontakti me natyrën, të paktën një ditë në javë të dalim diku shëtitje apo qoftë dhe për një kafe në natyrë? Sepse edhe sekreti i natyrës është jeshilja. Kjo ngjyrë të qetëson, të jep energji pozitive e kuptohet, vazhdimësi të së mirës, shpresën se jeta është e bukur, sido që të vijnë punët. Jeshilja është ngjyra e optimizmit. Ngjyrat përfaqësojnë personalitetin dhe karakterin. E dhënë pas modës, por gjithmonë brenda stilit personal, ngjyra jeshile del në pah në veshjet e koleksionit privat të Ersi Ngjelës, vajzëssë biznesmenes së njohur, Shefikat Ngjela.

“Ndoshta veshja na përfaqëson si individë, ku i dihet?”, thotë ajo. “Çka e tregon më së miri ngjyra e preferuar dhe më e përdorur nga ne, ajo që ekziston më së shumti në shijen dhe gardërobën tonë”. Por cilat janë disa nga tiparet e “personalitetit të gjelbër”? Mund të mos i shfaqësh të gjitha tiparet e karakterit që paraqiten këtu, nëse ngjyra jote e preferuar është e gjelbra, por me siguri do ta gjesh veten diku në përshkrimin e mëposhtëm. Po ashtu, mund të zbulosh se ti shfaq disa nga tiparet negative të parashikuara në këtë profil, sidomos kur je i stresuar. Nëse ngjyra jote e parapëlqyer është e gjelbra, kjo do të thotë se je tip praktik dhe e adhuron natyrën. Je i ekuilibruar dhe meqë kërkon ekuilibrin, me raste mund të jesh dhe i pavendosur dhe i shqetësuar. Të kesh një “personalitet të gjelbër” do të thotë të jesh i sjellshëm, bujar, i mëshirshëm. Është mirë të të kesh pranë gjatë një krize, sepse ti di të ruash qetësinë dhe ta marrësh në dorë situatën, derisa problemi të zgjidhet.

Je i kujdesshëm me të tjerët, por duhet të bësh kujdes të mos lësh pas dore dhe veten. Je inteligjent, të pëlqen të studiosh dhe i kap shpejt konceptet e reja. Me një personalitet të tillë ndjen nevojën e madhe për të dashur dhe për t’u dashur. Ke prirjen për t’i shfaqur emocionet e tua, je si një libër i hapur. Ke nevojë t’i përkasësh një grupi. “Të gjelbrit” u bashkohen grupeve sociale. Si në shtëpi, edhe në rrethet shoqërore, je i këndshëm. Thua dhe bën gjithmonë gjënë e duhur. Je një qytetar i mirë, të pëlqen të përfshihesh në grupet komunitare. Ke standarde të larta morali e bën gjithmonë gjënë e duhur. Të pëlqen të të vlerësojnë dhe admirojnë për të mirat që bën në komunitet apo jetën familjare. Je shok dhe partner besnik, i dashur, por jo pasionant.

E ke të vështirë të ndiesh pasionin e madh, teksa nevoja jote kryesore mbetet ekuilibri, jo të vepruarit. Të jesh “personalitet i gjelbër” do të thotë të kesh vullnet të fortë. S’të pëlqen të të thonë të tjerët çfarë të bësh. Të pëlqen të fitosh debatet dhe s’dorëzohesh lehtë. Ke prirjen për t’u marrë me thashetheme, që ka lidhje me nevojën tënde për t’i përkitur një grupi. Të pëlqen ushqimi dhe e ke të vështirë të biesh në peshë. Me një “personalitet të gjelbër” s’je nga ata që ndërmerr rreziqe dhe as je i prirë për të vepruar, por të pëlqen më shumë të vëzhgosh. Të ulesh në një kafene e të shikosh botën si ecën përpara. Të pëlqen të punosh në biznesin tënd. Paratë janë të rëndësishme për ty, por je gjithashtu bujar.
Detajet të mërzisin. E shqyrton informacionin shpejt e parapëlqen ta shtjellosh idenë, të organizosh një plan dhe t’ia delegosh më pas atë dikujt tjetër. Ke shumë ide, por nuk je i zoti për t’i zbatuar. Të pëlqen të grumbullosh gjëra, por ato janë zakonisht të një cilësie të lartë dhe të shtrenjta. Do të ishe një këshilltar, psikolog e punonjës social i shkëlqyer, meqenëse je dëgjues i mirë dhe i ndjeshëm.

I shikon të tjerët me kthjelltësi, i analizon me kujdes, por duke treguar respect e dashamirësi. Aftësia për ta vënë veten në vendin e tjetrit është një prej virtyteve të tua, por duhet të bësh kujdes të mos përfshihesh shumë në jetët e të tjerëve dhe të bësh rolin e martirit. Kujdes nga prirja për vetëkënaqje dhe mos harro ëndrrat e synimet e tua. “Të gjelbrit” janë të sinqertë, i ndihmojnë të tjerët, janë të shoqërueshëm, por parapëlqejnë paqen me çdo kusht. Je modest dhe i duruar, ndaj të tjerët mund të përfitojnë. Dukesh i pafajshëm dhe naiv, por në fakt je finok dhe i kupton të tjerët, por shpesh s’e shpreh këtë gjë. Një anë negative e personalitet “të gjelbër” është prirja për të pasur zili dhe për të qenë xhelozë.
nga Gentian Minga | Fotografia: Edvina Meta/living/