Suksesi i vaksinës kundër HIV-it?

Ekspertët kryesorë kubanezë të bioteknologjisë kanë testuar me sukses në minj vaksinën e parë kundër sidës dhe tani janë të gatshëm të fillojnë testimin në masë më të vogël, por shumë më të kontrolluar, edhe te njerëzit, u deklarua në konferencën bioteknologjike ndërkombëtare, të mbajtur në Havanë.

Bëhet fjalë për vaksinën me emrin TERAVAC-HIV-1, e zhvilluar nga proteinat e rikombinuara, të cilat duhet të nxisin reaksion qelizor ndaj virusit të HIV-it. Testimi do të bëhet në pacientët HIV pozitivë të cilët nuk janë në fazën e avancuar të sëmundjes, bën të ditur AFP.

Enrique Iglesias, udhëheqësi i ekipit të përbërë nga ekspertët e Qendrës kubaneze për bioteknologji dhe inxhinieri gjenetike (CIGB), të cilët kanë zhvilluar vaksinën në fjalë, thekson që deri tani në Kubë dhe nëpër botë janë testuar më shumë se 100 vaksina kundër sidës, ku asnjëra nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme.

Kuba, për parandalimin e sidës dhe kujdesin ndaj të infektuarve me virusin HIV ndan 200 milionë dollarë në vit. Në këtë përfshihet edhe kurimi pa pagesë me medikamentet antiretrovirale, nga të cilat disa janë edhe produkte vendore.

Në këtë vend po ashtu është shumë e zhvilluar edhe industria e produkteve bioteknologjike, mes të cilave dhe e ilaçeve dhe vaksinave. Ky sektor sjell edhe të ardhura të konsiderueshme nga eksporti, të vlerësuara në 400 milionë dollarë, çka do të thotë që pas nikelit, produktet bioteknologjike janë produktet më të suksesshme të eksportit kuban.