Steriliteti tek meshkujt

Steriliteti tashmë nuk është vetëm problem i femrave. Një në pesë meshkuj mund të ketë probleme me pjellorinë, kurse shkencëtarët paralajmërojnë se kjo gjendje mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Shkencëtarët nga Universiteti i Kopenhagës në mënyrë ilustruese thonë se ky problem ka ngjashmëri me ngrohjen globale.

Daily Mail citon ekspertët të kenë thënë se nëse ky trend vazhdon në mënyrë graduale edhe në të ardhmen, atëherë pas disa gjeneratave ekziston rreziku që meshkujt të mbeten tërësisht sterilë.

Sipas të dhënave, një nga pesë meshkuj të shëndoshë, të moshave ndërmjet 18 dhe 25 vjeç, prodhon numër jonormal të spermatozoideve (qeliza seksuale mashkullore). Vetëm 5 deri në 15 për qind e spermës së tyre mund të konsiderohet normale sipas standardeve të OBSH-së.

Problemi i papjellorisë mashkullore fillon që në mitër. Disa nga faktorët që mund të ndikojnë në këtë janë ushqimi që përdor nëna gjatë shtatzënisë, siç janë sasitë e mëdha të ushqimeve me prejardhje nga kafshët, pastaj mbipesha gjatë shtatzënisë, ekspozimi ndaj duhanit, pesticideve dhe gazrave të ndryshëm.