Silikoni në gjoks, Franca rekomandon gratë ta heqin

Ministria franceze e Shëndetësisë ka kërkuar nga mijëra gra franceze që t`i shmangen implanteve të gjinjve, të kryera nga një firmë lokale që eksporton produktet e veta nëpër vende të ndryshme të botës.

Sipas ministrisë, nuk ka rrezik të lartë nga kanceri, por rekomandohet largimi si masë mbrojtëse, pas shifrave jashtëzakonisht të larta të këputjeve të implanteve. 

Vlerësohet se rreth 30 mijë gra në Francë kanë kryer operacione në gjinj, të kryera nga kompania “Poly Implant Prothese”. Raportohet se më shumë se 300,000 produkte të kompanisë janë shitur nëpër botë, para ndalimit në vitin 2010, kur u konstatua se implantet kishin përbërës jo kualitativ.

Autoritetet franceze i kërkuan 30 mijë grave që të heqin protezat zmadhuese të gjoksit, pasi mund të jenë pjesë e një linje difektoze prodhimi, e cila mund të shkaktojë dëme të mëdha për shëndetin, përfshirë edhe kancerin. Ishte gazeta “Liberation” ajo që publikoi për herë të parë skandalin, ndërsa autoritetet konfirmuan pak ditë më parë se mbushjet e silikonit kishin qenë problematike.

Ministria Franceze e Shëndetësisë zbuloi se protezat në fjalë ishin ndërtuar me një xhel silikoni të veçantë, i cili në shumë raste shpërbëhet dhe pëson rrjedhje, duke rrezikuar shëndetin e grave . Policia franceze ka sinjalizuar marrjen e 2 mijë ankesave nga gra që kanë vuajtur këtë defekt, shumë prej të cilave kanë ngritur franceze padi ndaj firmës prodhuese, ndërsa mbi 500 e kanë hequr tashmë protezë.