Si t’i ruani duart dhe thonjtë gjatë dimrit

Pas fytyrës, lëkura e duarve dhe thonjtë janë ata që vuajnë më së shumti gjatë dimrit. Për këtë shkak, gjatë kësaj stine duhet që duarve dhe thonjve t’u kushtoni një kujdes të veçantë.

Nxehni një grusht flluskash të tërshërës në gjysmë filxhani qumësht. Pasi që të zihen ato, shtoni sheqer dhe lëreni masën që të trashet. Më pas, qiteni këtë masë në shpinë të dorës, duke e lënë që të qëndrojë rreth dhjetë minuta.

Tërshëra do ta qetësojë lëkurën e irrituar, do ta bëjë atë më të butë dhe më të qëndrueshme në të ftohtë, kurse qumështi, duke nxitur largimin e qelizave të vdekura, do të veprojë si një “piling” i natyrshëm.

Pasi që t’i keni larë duart mirë e mirë, ushqejeni lëkurën psh me gjalpë të kakaos. Ajri i ftohtë dimëror, përpos lëkurës së fytyrës, më së shumti e thanë lëkurën e ndjeshme të duarve. Në mënyrë që t’i mbroni ato, gjatë dimrit lyeni me krem në mëngjes dhe në mbrëmje.

Lëkurës tepër të ndjeshme do t’i ndihmojë tretmani i natës, me vaj ulliri. Para se të bini në gjumë, qitni në duar disa pika vaj ulliri, të cilin më parë e keni përzier me disa pika lëng limoni. Meqë të ftohtit i dëmton edhe thonjtë, duke shkaktuar çarjen e tyre, atëherë edhe ata fërkoni me vaj ulliri. Pasi që t’i keni lyer duart, veni dorëzat e pambukta dhe lëreni vajin e ullirit që të veprojë gjatë tërë natës.

Përpos llakut, gjatë dimrit është mirë që të përdorni edhe përforcues për thonj. Ai do t’i mbrojë edhe më shumë thonjtë nga çarja dhe dëmtimet e tjera.

Gjatë dimrit, është mirë edhe që t’i lani duart në ujë të trëndafilit. Në mënyrë që ta përgatitni një losion, keni nevojë për 2/3 të filxhanit ujë trëndafili, 1/3 të filxhanit glicerinë dhe një lugë lëng limoni. Këtë losion duhet ta ruani në vend të thatë dhe të errët dhe ta përdorni sipas nevojës.