Si t’i jepet bebes ilaçi

Ilaçet për fëmijë, para së gjithash për ata të vegjlit, prodhohen kryesisht në formë shurupi apo pluhuri i cili tretet.

Nga pesha e bebes varet edhe doza e ilaçit, ndërsa mjeku do t’i përshkruajë saktësisht sa duhet të jepet në një dozë, në ç’kohë jepet dhe sa zgjat dhënia e ilaçit. Këtyre udhëzimeve duhet rreptësisht t’u përmbaheni.

Para dhënies së ilaçit, bëjeni gati shiringën (pa gjilpërë) apo lugën e vogël. Beben duhet vendosur në pozitë gjysmë të ulur dhe duhet hedhur ilaçin në gojë – anash, sepse ashtu më së lehti do ta përpijë. Nëse ndodh që bebja ta pështyjë apo ta vjellë ilaçin menjëherë pasi t’ia keni dhënë, ose në periudhën deri në 10 minuta, duhet përsëritur procedurën me tërë dozën e caktuar. Nëse e vjell pas njëzet minutave, nuk duhet përsëritur më.

Në rast që fëmija ka temperaturë të lartë, më parë duhet ulur temperaturën e pastaj t’i jepet ilaçi. Preferohet që nëna t’ia japë ilaçin fëmijës, për shkak të marrëdhënieve të mira ndërmjet nënës dhe fëmijës. Duhet shmangur dhënia e ilaçit nga shishja, apo me lugën me të cilën ushqehet bebja.

Nëse bërtet dhe refuzon, dhënia e ilaçit duhet shtyrë për më vonë. Më parë duhet të qetësohet, të argëtohet dhe gjatë lojës të marrë ilaçin. Assesi nuk është mirë që me dhunë t’i jepet fëmijës ilaçi. /telegrafi/