Shamponët dhe rënia e flokëve

Kur njerëzit ndryshojnë shamponin e tyre te rregullt, kondicionerin apo çfarë do produkti tjetër për flokë, ata natyrisht i japin vëmendje shtesë gjendjes së flokëve dhe kokës së tyre.

Farmacist Krenar Dobroshi
M. Sci. Kozmetologji

Nëse vërejnë ndonjë përmirësim nga produktet e përdorura, njerëzit, lavdërojnë produktin e ri. Po ashtu, nëse vërejnë ndonjë gjë negative ata fajësojnë produktin. Në qoftë se ata vërejnë se flokët u bien, ata fajësojnë produktin po ashtu – edhe nëse humbja ka vazhduar për muaj. Ata mund të fillojnë të besojnë se do të mbeten pa flokë (alopecia totalis).

Hulumtimet tregojnë se përderisa shumë njerëz kuptojnë që rënia e flokëve është një proces normal në ri-rritjen e flokëve, të tjerët e lidhin atë me përdorimin e shamponëve të ‘papërshtatshëm’ në vend të fajësimit të shkaqeve të tjera si krehja apo larja apo ndërhyrjet tjera kimike.

Vetëm pak njerëz i njohin faktorët si lindja e fëmijës, medikamentet, dieta, trashëgimia gjenetike ose sëmundjet si shkaktarët e mundshëm të humbjes së flokëve, megjithëse të gjitha këto janë të njohura për shkencëtarët e flokëve.

E vërteta është se shamponët nuk shkaktojnë rënien e flokëve. As nuk kanë ndonjë efekt mbi normën e përditshme të humbjes, apo në normën e rritjes së flokëve. Jo çuditërisht, më shumë flokë bien në ditët kur flokët lahen me shampon se në ditët kur nuk lahen për shkak të veprimit të thjeshtë mekanik të larjes së flokëve. Kufiri i pranueshëm i rënies së flokëve në ditë është rreth 100 fije. Kjo sasi është normale dhe nuk nënkupton humbjen e flokëve. /telegrafi/