Qumështi për sy

Shkencëtarët amerikanë kanë analizuar të dhënat nga 1.313 femra të cilat ishin pjesë e një studimi të madh në lidhje me sëmundjet e syve

Nëse doni që të shihni mirë edhe në pleqëri, atëherë konsumoni qumësht, thonë shkencëtarët, të cilët këtë këshillë e bazojnë në rezultatet e një studimi të ri.

Është parë se kjo vlen sidomos për femrat.Gratë që kanë nivele të larta të vitaminës D në organizëm, janë më të mbrojtura nga problemet me sy.

Thënë më saktë, te konsumueset e rregullta të qumështit, është parë se rreziku nga paraqitja e sëmundjes së quajtur degjenerimi makular, e e cila paraqitet te moshat e vjetra, është për dy të tretat më i vogël.

Këtë e ka konstatuar studimi më i ri amerikan.Përndryshe, degjenerimi makular është shkaktari më i shpeshtë i verbërisë në pleqëri.

Kjo sëmundje pamundëson jetën normale, meqë dobëson të pamurit dhe njerëzit nuk munden që të kryejnë disa punë të përditshme, sikur që është leximi, vozitja, apo edhe njohja e personave të tjerë.

Shkencëtarët amerikanë kanë analizuar të dhënat nga 1.313 femra të cilat ishin pjesë e një studimi të madh në lidhje me sëmundjet e syve.

Me atë rast, ata kanë konstatuar se gratë në të 70-tat e moshës së tyre, që merrnin vitaminën D me qumësht dhe me ushqime e pije të tjera, kishin një shëndet shumë më të mirë të syve.

‘Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm, por duhet të bëhen studime shtesë, në mënyrë që të kuptojmë më mirë lidhjen midis vitaminës D, gjenetikës dhe stilit të jetës’, thotë autorja e studimit, dr. Amy Millen.