Nenat ne moshe te madhe, me te prirura drejt depresionit

Gratë të cilat e shtyjnë vazhdimisht lindjen e fëmijës së parë, duke menduar që të stabilizojë si fillim karrierën ose gjendjen financiare janë më të predispozuara për t’u prekur nga depresioni i paslindjes, shprehen studiuesit.

Nënat më të vjetra në moshë duket se përgatiten më shumë seç duhet që gjithçka të jetë e përkryer për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë dhe kur diçka nuk shkon siç duhet krahasuar me pritshmëritë e tyre, ato reagojnë më tepër, thotë një studim.

Këto të dhëna gjejnë zbatim të madh në vende të ndryshme në ditët e sotme, kur çdo ditë e më tepër femrat e shtyjnë momentin për t’u bërë nëna, duke shpresuar në një përmirësim të financave të tyre.

Sipas studiuesve, gratë më të mëdha në moshë që zgjedhin të bëhen nëna, janë më të prirura që të preken nga depresioni i paslindjes, ndoshta për faktin se ato janë mësuar ta kenë gjithmonë në kontroll jetën e tyre, duke qenë se para këtij hapi, pra para se të vendosin të bëhen nëna, ato kanë marrë një edukim të gjatë dhe kanë krijuar një karrierë solide. Por kur vjen puna te fëmija, nuk mund të vazhdosh të jesh kaq i organizuar e të kesh gjithçka nën kontroll, përkundrazi, duhet të mësosh të jesh sa më elastik dhe fleksibël. Shumë nga gratë e intervistuara për këtë studim e kanë pranuar vetë se, kjo është një nga gjërat që ndikon negativisht në gjendjen e tyre të paslindjes, pikërisht fakti se gjërat nuk po ecin ashtu si ato i kanë planifikuar.

Është e zakonshme për të gjitha gratë që sjellin në jetë një fëmijë, që tre-katër ditët e para të përjetojnë ndjenja të trazuara, d.m.th, kur fëmija qan pa pushim pa kuptuar dot se çfarë do. Por nëse kjo gjendje zgjat për më shumë se 1 javë, atëherë ato janë shenja të depresionit të paslindjes, që është si të gjitha format e depresionit, një gjendje e rrezikshme e shoqëruar me dëshpërim, trishtim dhe lodhje. Këto gra nuk arrijnë të shijojnë ndjesinë e të qenët nënë, duke qenë se gjendja depresive që ato kalojnë bëhet një barrë më tepër dhe jashtë asaj që ato kishin “planifikuar” nga ana e tyre.