Më shumë shujta – më pak dhjam rreth belit

Vajzat të cilat hanë më shumë shujta dhe zamra gjatë ditës shtojnë më pak peshë se ato që hanë pak herë në ditë, ka zbuluar një studim i publikuar para pak kohësh nga shkencëtarët amerikanë.

Studimi i cili ka përcjellë 2 000 vajza gjatë një dekade, ka sjellë konstatimin që shujtat e shpeshta të vogla dhe zamrat mbajnë ndjenjën e të qenit të ngopur dhe me këtë parandalojnë të ngrënit e tepërt.

Kapërcimi i shujtës nuk është mënyra për të humbur peshë, e as shmangia e zamrave, ka theksuar Lorena Riçi nga Universiteti i Kalifornisë, e cila ka marrë pjesë në këtë studim.

Vëzhgimet kanë filluar kur vajzat kanë pasur nëntë ose dhjetë vjet dhe kanë zgjatur një dekadë. Në atë periudhë të rritjes vajzat kanë ngrënë pesë ose më shumë herë në ditë dhe kanë pasur mesatarisht 2,5 centimetra më pak shtresa dhjamore në pjesën e belit sesa ato të cilët kanë ngrënë tri ose më pak shujta.

Megjithatë, këto rezultate nuk janë të mjaftueshme që kjo mënyrë e të ushqyerit të pranohet si i rekomandueshëm për parandalimin e shtimit të peshës te vajzat, por edhe te e tërë popullata.

Elison Fild, nga spitali i fëmijëve në Boston, e cila nuk ka marrë pjesë në studim, mendon se një rezultat i tillë mund të jetë edhe pasojë e gjenetikës, ndërsa ka shtuar edhe se studimi nuk ka marrë parasysh se çfarë kanë ngrënë vajzat. Megjithatë, nuk është njëjtë nëse shpesh hani karota dhe molla dhe nëse çdo moment hani një çokollatë.