Mbrojeni lëkurën nga dielli

Trupi juaj është i aftë që të kujdeset për vetveten, por me kalimin e viteve, kjo vjen duke u dobësuar. Me anë të pilingut të natyrshëm lëkura largon qelizat e vdekura, derisa ato të rejat, të krijuara thellë në epidermë, ‘ngjiten’ në sipërfaqe dhe zëvendësojnë qelizat e vjetra.

Me vitamina dhe preparate të caktuara mund ta ngadalësojmë paraqitjen e rrudhave, zbehjen e lëkurës dhe shenjat e tjera të plakjes, por me rëndësi është që shumica e këtyre preparateve më së miri veprojnë kur të aplikohen lokalisht, e jo me dieta, apo tableta.

Shtesat më të mira ushqimore

Omega-3- Jo vetëm që kjo thartirë yndyrore bën mrekulli sa i përket shëndetit të zemrës, por atë e preferojnë edhe dermatologët për trajtimin e lëkurës së thatë dhe për mjekimin e problemeve, sikur që është psoriaza dhe ekzema.

Vitamina B3 – Kjo vitaminë, e njohur edhe me emrin nikotinamid, ndihmon në rritjen e prodhimit të substancave që përbëjnë barrierën e jashtme mbrojtëse të lëkurës, gjë që ndihmon në një hidratim më të mirë të saj.

Vitamina C – Është dëshmuar se kjo vitaminë është efikase kundër radikaleve të lira, të cilat shkaktojnë rrudha dhe shenja të tjera të plakjes. Vitamina C po ashtu e bën lëkurën të fortë dhe të lëmuar.

Vitamina E – Kjo vitaminë e fuqishme largon tharjen e lëkurës, duke i ndihmuar që përsëri ta nisë procesin natyror të mbrojtjes nga rrezet UV.