Luftoni qeskat e fryra nën sy

Aleatët tuaj kundër rrathëve të errëta dhe qeskave të fryra nën sy, gjenden në dollapin tuaj të banjës, por edhe në frigorifer.

Ja si mund t’i ndihmoni vetes që t’i eliminoni përgjithmonë ose së paku përkohësisht t’i kamufloni rrathët gjysmëhëne të pozicionuar nën sytë tuaj dhe të fitoni dukje të shëndetshme:

Feta nga trangujt e freskët
Një nga recetat më të vjetra nga gjyshet, padyshim që është lehtësimi i nënsyve me ndihmën e copave të trangujve të freskët. Falë copave të ftohta të trangujve, enët e gjakut ngushtohen dhe me kalimin e kohës e reduktojnë fryrjen nën sy.

Gjumi
Gjumi lehtëson gjendjet e ndryshme shëndetësore që shkaktohen si pasojë e mënyrës stresuese jetësore. Ai po ashtu ndikon në mënyrë të dobishme edhe në tenin tuaj dhe në reduktimin e nënsyve dhe qeskave nën sy.

Ushqimi i dedikuar për shëndetin e lëkurës
Duhet ditur se lëkura është organ dhe atë më i madhi në trup në të cilin ndikon ushqimi juaj i përditshëm. Prandaj ushqimet të cilat ju i konsumoni do ta shfaqin efektin e tyre edhe në dukjen tuaj.

Korrektues
Ky aleat kundër nënsyve nuk vepron nga brenda, por e bën të duket njësoj lëkura e fytyrës dhe e mbron atë nga rrezet e diellit. Nëse jeni të ndjeshëm ndaj preparateve të tilla, atëherë provoni ndonjë kamuflazh kundër nënsyve- p.sh. syze për diell.

Maskë për sy
Përveçse do ta reduktojë ënjtjen nën sy, xheli i maskës ofron edhe miniterapi të pushimit “të detyruar” për së paku 15 minuta. Maska e ftohtë do të ngushtojë venat nën sy, por edhe do t’ju detyrojë të pushoni dhe të relaksoheni për një kohë të shkurtër.

Pika për hundë
Përveç mungesës së gjumit, shkaktar i nënsyve mund të jenë edhe hundët e zëna. Me spërkatës ose pika për hundë shumë lehtë mund ta zgjidhni këtë problem, mirëpo vetëm pas rekomandimit të mjekut, në mënyrë që të mos e teproni me përdorimin e barit edhe atëherë kur nuk është nevoja.

Antihistaminikët
Shumë njerëz luftojnë me alergjitë të cilat shkaktojnë mbylljen e hundëve, lotimin e syve, si edhe shfaqjen e qeskave nën sy. Barnat antihistaminike do t’u ndihmojnë në këtë rast, por vetëm sipas rekomandimit të mjekut.

Kremra për sipërfaqen nën sy
Asnjë produkt kozmetik nuk ka përjetuar lulëzim aq të shpejtë, sikurse kremrat për sipërfaqen e lëkurës nën sy. Edhe pse janë nga anëtarët e rinj të familjes së preparateve kozmetike, në ditët e sotme thuajse secila femër në mbrëmje vendos nën sy ndonjë nga këto kremra.