Llojet e lëkurës së fytyrës dhe trajtimi i saj

Lëkura përbëhet nga tri shtresa; Epiderma, Derma dhe Ipoderma shtresa nënlëkurore e emërtuar ndryshe subkutane.

Epiderma: Është shtresa e jashtme e lëkurës (ajo që shihet dhe preket). Vetë epiderma përbëhet nga 4 shtresa. Llojet e ndryshme të qelizave të lëkurës formohen në shtresën më të brendëshme të epidermës (shtresa germinative) dhe dalin në shtresën më të sipërfaqshme (shtresa korneale).

Gjatë këtij procesi, qelizat e gjalla shndërrohen në të vdekura. Qelizat e vdekura në sipërfaqe bien vazhdimisht duke i lënë vendin qelizave të reja që vijnë nga poshtë. Shtresa korneale e epidermës është shtresa e parë mbrojtëse e organizmit.

Derma: Përbën bazën e lekurës. Ajo përmban enë gjaku dhe limfatike, gjëndra djerse, folikula qimesh, gjëndra sebace dhe mbaresa nervore. Të gjitha këto lidhen së bashku nga kolagjeni dhe fibrat e elastinës të cilat i japin lëkurës forcën dhe fleksibilitetin.

Shtresa nënlëkurore (subkutane): Është një shtresë dhjamore që jo gjithmonë konsiderohet pjesë e lëkurës. Gjithsesi mirqënia e saj ndikon drejtpersedrejti në mirqënien e dermës dhe të epidermës.

Tipet e lëkurës:

Në përgjithsësi ato janë: normale, e yndyrshme, e thatë dhe e kombinuar. Ato përcaktohen në vartësi të nivelit të yndyrës dhe thatësise. Zakonisht tipi i lëkurës varet nga madhësia e poreve.

Lëkura normale: Ka një përbërje të ekuilibruar uji dhe yndyre. Poret janë mesatare.

Lëkura e yndyrshme: Ka një teksturë të trashë. Zakonisht zonat yndyrore shkëlqejne. Fytyra e yndyrshme rezulton nga ekzistenca e gjëndrave dhjamore hiperaktive, yndyra shkakton mbajtjen e qelizave të vdekura në folikujt e qimeve. Poret janë më të mëdha.

Lëkura e thatë: Ka një teksturë të ashpër. Nuk ka zona të ndritshme, në të kundërt lëkura duket e fjetur. Poret janë zakonisht të vogla sepse sasia e yndyrës është e pakët. Me kalimin e moshës, lëkura e thatë është e prirur të krijojë rrudha.

Lëkura e kombinuar: Është një përzierje midis zonave të thata e të yndyrshme në shkallë të ndryshme. Zakonisht zona T, (balli, hunda dhe mjekra) janë të yndyrshme, ndërsa mollzat dhe qafa janë të thata.

Pastrimi i fytyrës

Ky trajtim konsiston në mirëmbajtjen e lëkurës së fytyrës, pastrimin e qelizave të vdekura, heqjen e pikave të zeza, trajtimin e komedonëve, korigjimin e ovalitetit dhe poreve të zmadhuara, skuqjeve masive, kompensimin e mungesave të lëkurës sic janë; mungesa e lagështires, imuniteti i dobet, asfiksia etj.

Pastrimi i fytyrës është një trajtim tradicional, tashmë i kompletuar falë aparaturave dhe produkteve profesionale që stimulon metabolizmin e lëkurës. Procesi përmban shumë faza duke filluar nga pastrimi i lëkurës eksfolimi, trajtimi me avull, ozon, maska, serume, vacuum, lifting, e deri tek produktet finale dhe zgjat rreth 1 orë 30 minuta, kjo varet nga sasia e pikave të zeza.

Ky trajtim është i përmuajshëm. Këtij trajtimi nuk mund t’i nënshtrohen gratë shtatzana dhe ato që vuajnë nga sëmundje të zemrës. Gjithashtu nuk këshillohet edhe gjate ciklit menstrual.

Egzaminimi domosdoshmëri

Vihet re një tendencë e klienteve. Ato janë të prirura të konsumojnë produkte shumë të kushtueshme, të blera me porosi jashtë shtetit. Cilësia kushton por në këtë rast mungon sugjerimi i estetistes i cili është i bazuar në njohuritë dhe eksperiencën e saj.

Fytyra kërkon kujdes dhe ajo nuk mund të trajtohet me produkte të hamendëshme ose të sugjeruara nga persona inkompetentë. Askush nuk është i aftë të përcaktojë karakteristikat e lëkurës së fytyrës me sy të lirë, madje as specialisti, pa ndihmën e skanerit të posacëm i cili plotëson të dhënat dhe është i pagabueshëm.

Këtij egzaminimi i nënshtrohen detyrimisht klientet që në takimin e parë. Lind nevoja që herë pas here të bëhet ky egzaminim sepse faktorë te ndryshëm ndikojnë ndjeshëm dhe lëkura e fytyrës mund të shfaqë probleme të paparashikuara. Nga eksperienca mund të them se në të gjitha egzaminimet e fytyrave, janë konstatuar dy ose më shumë cilësi.

Me sy të lirë mund të konstatojmë një fytyrë mikse ose të yndyrshme. Cilësitë e tjera që fsheh lëkura zbulohen me skaner i cili i paraprin detyrimisht trajtimit. Nëse neglizhojmë këtë fakt, rrezikojmë të përdorim produkte të papërshtatshme që nuk e ndihmojnë lëkurën.

Karakteristikat e lëkurës së fytyrës

Karakteristikat përcaktohen nga geni. Ato gjënden të kombinuara në forma të ndryshme si p.sh.

Fytyrë sensibël + e yndyrshme
Fytyrë sensibël + e thatë
Fytyrë kuperoze + e thatë
Fytyrë kuperoze + e yndyrshme
Fytyrë mikse + sensibël
Fytyrë kuperoze + mikse + sensibël
Fytyrë kuperoze + e thatë + sensibël etj