Kur miqësia kalon në diçka tjetër

Nuk janë të pakta ato femra të cilave u ka ndodhur që të dashurohen në kolegun e punës.

Në një rast të tillë, me shenjat e para të dashurisë paraqitet edhe kokëdhembja, sidomos nëse jeni shokë e kolegë për një kohë të gjatë dhe nëse ai ju konsideron si motrën e tij. Ja disa këshilla si ta bëni atë që t’ju shohë edhe me një sy tjetër.

Përpiquni që të mos ëndërroni tepër para kohe. Mund të jetë që kolegët e tjerë e përkrahin lidhjen tuaj eventuale dhe ju thonë se do të ishit një çift i mirë, po të bashkoheshit. Me gjasë fjalët e tilla ju pëlqejnë, sepse përpos tjerash, kjo u jep siguri që të vazhdoni edhe më tutje në drejtimin që keni marrë.

Por, çka mendon ai, kolegu të cilin keni filluar ta shikoni me sy tjetër? Lidhja midis jush nuk mund të fillojë vetëm pse kolegët e tjerë mendojnë se do të ishit çift i mirë; lidhja mund të fillojë vetëm nëse këtë e doni të dy ju, në rast se duheni.

Filloni që t’ia bëni me dije se çka ndjeni për të. Nuk jemi duke thënë se duhet të shkoni e t’i uleni në tavolinën e punës, apo t’i nxirrni gjinjtë jashtë sa herë që ai kalon atypari, larg qoftë! Por, me gjasë nuk do të gaboni nëse, gjatë bisedës me të, qesheni më shpesh, nëse e shikoni me ngulm kur ai flet, etj…

Mos ngurroni as ta pyetni se a mund të dilni bashkë. Po, kjo ka një dozë rreziku në vetvete, por ia vlen që të provohet. Para se ta pyetni për të dalë bashkë, përgatituni në çfarëdo përgjigjeje, meqë ka gjasa që ai t’ju refuzojë, sikur që është e mundur që menjëherë të thotë ‘po’. Natyrisht, duhet të keni mirëkuptim edhe nëse nuk ju përgjigjet menjëherë, meqë ka të ngjarë që ai kurrë nuk ka menduar për ju në atë mënyrë, prandaj i duhet kohë për të vendosur./ikub/