Këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta (Hipertermia)

Këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta (Hipertermia)Të shumtë janë ata që presin verën të entuziazmuar për t’u larë në det, liqe, lumenj dhe dalje për shëtitje në mbrëmje etj, por e gjithë kjo sjell një mori problemesh shëndetësore.

Dr. Isuf Bajrami,
Spec. i mjek. Emergjente – Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë
tel. 044 199 161
[email protected]

Veprimet që duhet ndërmarrë:
• Mos u ekspozoni në diell në mes të orëve 10 deri 17h kur temperaturat trupore janë më të larta dhe rrezet ultraviolete më të forta.
• Mos hyni në automjet të tejngrohur dhe mos i lëni fëmijët dhe të afërmit e shtëpisë në automjet të ngrohtë.
• Mënjanoni ngarkimet fizike në pjesën më të nxehtë gjatë ditës
• Pini më shumë lëngje se zakonisht edhe pse nuk keni ndjenjën e etjes, së paku 1,5-2 lit. në ditë. Njëkohësisht mos konsumoni pije të gazuara, alkool e në veçanti pije të ëmbla dhe të ftohta.
• Konsumoni pemë, perime, jogurt, ushqime të lehta dhe supa me çka kompensohen kripërat e humbura me djersitje. Konsumoni ushqime të përgatitura të freskëta, mos e nxehni ushqimin njëherë të zier. Artikujt ruani në frigorifer ose në lokale të freskëta nëqoftëse nuk duhet të vendosen në frigorifer. Kujdes me akullore!
• Vishni rroba të lehta, të ndritshme të gjëra nga materiali natyral, me të cilat më së paku do të djersiteni. Nëse dilni jashtë vendosni kapelën dhe syzet e diellit.
• Personat me sëmundje të zemrës kanë probleme me tension, e fëmijët dhe të moshuarit mbi 65 vjeç, duhet në orët e lartpërmendura të qëndrojnë në ambiente të klimatizuara të cilat nuk guxojnë të jenë tepër të ftohura. Duhet bërë dallimin në raport me temperaturën e jashtme më së shumti 5ºC.
• Shpesh gjatë ditës të pushohet në pozitë gjysmë të ulur dhe të shtrirë.
• Me rregull të merret terapia, më shpesh të kontrollohet tensioni i gjakut nëqoftëse mjekoheni nga tensioni i gjakut nëse jeni pacient kardiak. Në rast të paraqitjes së simptomave, siç është kokëdhembja, mundimi, vjellja dhe marramendja drejtohuni te mjeku i juaj ose te urgjenca mjekësore më e afërt.
• Shënoni numrat me rëndësi: Ndihma e shpejtë 194 për mbarë Kosovën, Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave 112).

Freskoni shtëpinë – banesën tuaj
• Vazhdoni të freskoni hapësirën në të cilën jetoni. Matni temperaturën e dhomës në mes të orës 8.00 dhe 10.00 pastaj në orën 13.00 dhe në orën 22.00 të natës. Ideale do të ishte të mbani temperaturën e dhomës nën 32°C ditën dhe nën 24°C natën. Kjo posaçërisht është e rëndësishme për fëmijët dhe personat mbi 60 vjeç apo kur keni problem kronike shëndetësore.
• Shfrytëzoni ajrin e freskët të natës të freskoni shtëpinë-banesën tuaj.
• Hapni të gjitha dritaret ose roletat gjatë natës dhe orëve të natës në mëngjesin e hershëm kur temperatura atmosferike është më e ulët (kur është e mundur).
• Zvogëloni vëllimin e ajrit të nxehtë brenda banesës ose shtëpisë.
• Ditën mbyllni dritaret ose roletat, posaçërisht ato të cilat janë të drejtuara kah dielli. Ç’kyçni të gjitha dritat artificial dhe aq sa mundeni aparatet elektrike.
• Largoni pengesat, tendat në dritare të cilët akumulojnë prej diellit në mëngjes dhe pasdite.
• Valëvitni peshqirët e lagët që të freskoni ajrin në ambient. Mos mendoni se me këtë veprim rrisni lagështinë.
• Nëse keni aparat për freskim (air-conditioning) mbyllni derën dhe dritaret me qëllim që mos të harxhoni më shumë energji se që është e nevojshme.
• Ventilatorët elektrik mundë të ofrojnë lehtësim dhe freskim, por nëse temperatura është mbi 35°C nuk do të parandalojnë sëmundjet të cilat lidhen me temperaturat e larta. Është me rëndësi të pini mjaft lëngje.

Largohuni nga vapa
• Qëndroni në ambiente me të freskëta të banesës /shtëpisë suaj, posaçërisht natën.
• Nëse banesën/shtëpinë tuaj nuk mundë të mbani të freskët, kaloni 2-3 orë në ditë në ambiente të freskëta (psh. ndërtesa publike e cila është e ftohtë)
• Shmangni daljen në pjesën më të nxehtë të ditës.
• Shmangni punën e rëndë fizike.
• Nëse detyroheni të punoni me ngarkesë, këtë bëjeni në pjesën e freskët të ditës
• Kërkoni hije
• Mos i leni fëmijët ose shtazët në automjet të parkuar.

Ftohni trupin dhe pini mjaft lëngje
• Bëni tush ose laju në ujë të vakët. Mundësi tjetër mbulimi në çarçaf pëlhure të ftohtë të lagësht, lecka për gjymtyrë etj.
• Bartni rroba të gjera, të ndritshme nga materiali natyral. Nëse dilni jashtë, vendosni kapele me diametër të gjerë dhe syza dielli.
• Shfrytëzoni mbulesë të lehtë, pëlhurë, sipas mundësisë, pa jastëk me qëllim të preventives së akumulimit të nxehtësisë.
• Pini rregullisht dhe shmangeni pijet alkoolike dhe ato me sasi të madhe të kofeines dhe sheqerit.
• Hani më shpesh racione të vogla. Shmangeni ushqimin e pasur me yndyra.

Ndihmoni të tjerët
• Vizitoni farefisin, miqtë dhe fqinjët të cilët shumicën e kohës e kalojnë vetëm. Personat e ndjeshëm mund të kenë nevojë për ndihmë gjatë ditëve të nxehta.
• Bisedoni për goditjen nga nxehtësia me familjarët tuaj. Duke marrë parasysh gjendjen tuaj shëndetësore dhe aktivitetet e anëtarëve të familjes duhet dini se cilat masa mbrojtëse duhet ndërmarrë.
• Nëse dikush të cilën ju e njihni është në rrezik, ndihmoje të kthehet në vetëdije dhe jepni përkrahje. Personat e moshuar dhe pacientët të cilët jetojnë, vetëm duhet të vizitohen së paku një herë në ditë.
• Ata që marrin barna, duhet të konsultohen me mjekun çfarë ndikimi kanë ato barna në termorregullim dhe balancën e fluideve në organizëm.
• Aftësohuni në kurset e ndihmës së parë me qëllim që të mësoni se çka duhet të ndërmerrni në rast të goditjes termike dhe gjendjeve tjera urgjente. Çdo kush duhet të dijë si të reagoj.

Nëse keni problem shëndetësore:
• Mbani medikamentet në temperature nën 25 °C ose në frigorifer (lexoni udhëzimet për deponimin e barnave në udhëzuesit e barnave).
• Kërkoni udhëzime të mjekut, nëse keni ndonjë sëmundje kronike ose merrni shumë barna.

Nëse ju ose dikush tjetër rreth jush ndihet keq:
• Kërkoni ndihmë kur keni marramendje, dobësi, pafuqi, ankesa ose ndieni etje të theksuar keni kokëdhembje të forta: sa më parë shkoni në ambient të freskët dhe matni temperaturën;
• Pini ujë ose lëng frutash me qëllim të kompensimit të lëngjeve;
• Qetësohuni ose shtriju në ambient kur keni ngërçe me dhembje, më së shumti në këmbë, duar ose bark, shpesh pas punës së kaluar ose ushtrimeve në kohë shumë të nxehtë, pini lëngje të cilat përmbajnë elektrolite. Në rast se ngërçet zgjasin më shumë se një orë nevojitet ndihma mjekësore;
• Këshillohuni me mjekun në rast të paraqitjes së ankesave tjera ose në rast se ankesat e përshkruara zgjasin shumë.

Nëse ndonjë anëtar i familjes suaj ose personave që ju ndihmoni kanë lëkurë të nxehtë ose delirium (flasin pa lidhje, janë të shqetësuar), kanë ngërçe ose janë pa vetëdije, menjëherë thirrni ndihmën e shpejtë mjekësore.
Derisa pritni mjekun, ndihmën e shpejtë, vendosni atë në ambient të freskët në pozitë të drejtë, i ngritni këmbët, largoni rrobat dhe filloni me ftohje nga jashtë me lecka të ftohta në qafë, sqetull dhe ije duke shfrytëzuar ventilatorin dhe spërkatje të lëkurës me ujë në temperaturë 25-30°C, matni temperaturën e trupit.

Mos jepni acid acetilsalicilik ose paracetamol.
Personat pa vetëdije vendosni në pozicion të shtrirë në krahë. /Telegrafi/