Këshilla për tharjen e rrobave jashtë

Kur bëhet fjalë për tharjen e rrobave, më së miri është që atë punë t’ia lini nënës natyrë. Në vend se të përdorni makinën larëse dhe tharëse për to, më e mira është të shërbeheni me litarin apo telin e hollë.

Në këtë mënyrë jo vetëm që do të ruani energji dhe do të kontribuoni në ruajtjen e mjedisit, por edhe rrobat do të mbajnë aromë më të mirë dhe më të freskët.

Nënat dhe gjyshet tona shumë mirë e dinë se si fanellat, pantallonat, të brendshmet dhe këmishët e thara në ajër dhe diell kanë një aromë të veçantë. Megjithatë, në dinamikën e ditëve të sotme gjithnjë e më pak kemi kohë për t’u marrë me shtrirjen e rrobave në tel apo litar. Megjithatë, kjo nuk është arsye që të mos mendojmë për t’i kthyer disa shprehi dhe zakone të vjetra.

Për ta shkurtuar tregimin, më së miri është që rrobat të thahen në telin apo litarin e shtrirë në ajër dhe diell. I gjithë procesi është shumë i thjeshtë, por me disa truqe, të cilat me siguri tashmë i dini që kjo punë të ketë rezultate edhe më të mira.

Uthulla

Njerëzit shpesh ankohen se si rrobat e tyre pasi që thahen (veçanërisht xhinset dhe peshqirët), janë të ashpra dhe të forta. Duke shtuar vetëm gjysmë deri tri të katërtat e filxhanit të mbushur me uthull, pak para së të fillojë cikli i shpëlarjes, do t’i mbani rrobat tuaja të buta. Mos u brengosni për erën e uthullës – ajo do të zhduket derisa rrobat thahen.

Fanellat dhe këmishët varini nga pjesa e poshtme

Në këtë mënyrë do të shmangni krijimin e rrudhave të çuditshme në supe, të cilat vështirë hiqen edhe pasi që të thahen rrobat. Prandaj më e mira është që pjesën e poshtme ta vëni në tel dhe ta forconi me kapëse dhe nuk keni pse të brengoseni për supet e rrudhosura.

Mos i palosni rrobat mbi tel

Kjo është e rëndësishme që rrobat të thahen më shpejt dhe në gjysmë të veshjes të mos krijohen vija të palosjes dhe rrudha të panevojshme. Në rast të tharjes së mbulesave ose batanijeve është e qartë që është e vështirë të realizohet kjo gjë nëse nuk keni shumë hapësirë dhe telin të ngritur shumë lart.

Pa tollovi

Është e qartë që çdo femër dëshiron sa më parë t’i heqë qafe të gjitha rrobat e palara, dhe ndonjëherë mund të lajnë më shumë rroba se sa kanë hapësirë për t’i varë në tel. Rezistoni tundimit dhe jepni hapësirë rrobave tuaja. Tollovia dhe shtrirja e tyre një mbi një rezulton me rrudha dhe kohëzgjatje me të madhe për t’u tharë, si dhe njëkohësisht shkakton ngarkesë më të madhe për telin apo litarin çka mund të bëjë që rrobat tuaja të prekin në tokë.

Freskimi para larjes

Nëse keni ndonjë send që e keni veshur relativisht shkurt, por nuk ka grumbulluar djersë apo pluhur, vareni në tel që ta freskojë pak era. Kështu do t’i reduktoni intervalet e larjes dhe do të kurseni energji. Për një efekt edhe më freskues, bëni një sprej natyral, dhe spërkateni rrobën dhe lëreni të thahet. Kështu do t’ia ktheni freskinë, të paktën derisa nuk vjen koha ta lani. Kursim i dyfishtë i energjisë! Ja edhe receta:

Përbërësit:

• Një lugë vaj eterik i livandës;

• Gjysmë decilitër vodkë pa aromë artificiale;

• 8 decilitra ujë të filtruar.

Merreni shishen plastike të sprejit, shpërlajeni me ujë të nxehtë. Në një enë të vogël përzieni vajin e livandës dhe vodkën dhe le të qëndrojë ndonjë minutë. Derdheni në shishe përzierjen e vaji dhe vodkës, shtoni ujin dhe shkundeni mirë. Është e rëndësishme ta tundni shishen para çdo përdorimi.

Vodkën mund edhe të mos e përdorni nëse nuk dëshironi alkool, por atëherë është e rëndësishme që edhe më fortë të tundni shishen sepse vaji dhe uji nuk pëlqehen edhe aq në kuptimin e përzierjes. Në fund, pak vaj të livandës mund t’i shtoni edhe ujit në hekur që rrobat pas hekurosjes të jenë edhe më të freskëta dhe të mbajnë aromë të mirë.