Joga kundër aritmisë së zemrës

Në një studim të ri kishin marrë pjesë 49 pacientë me çrregullime të ritmit të zemrës, të cilët nuk kishin përvojë të mëparshme me jogën.

Joga, për të cilën tanimë është konstatuar se ndihmon në uljen e shtypjes së gjakut dhe kolesterolit të lartë, tani është parë se përgjysmon rrezikun nga paraqitja e aritmisë (çrregullimit të ritmit të zemrës), e cila shpesh mund të jetë e rrezikshme. Këtë e ka konstatuar një studim i ri amerikan që është bërë publik të shtunën.

Studimi i vogël ishte i pari që ekzaminoi përfitimet nga joga në lidhje me aritminë e quajtur fibrilacioni atrial, e cila është shkaktarja kryesore e infarktit të zemrës, sidomos te pleqtë.

Përpos zvogëlimit të rrezikut nga fibrilacioni i zemrës, studimi ka treguar se joga po ashtu zvogëlon simptomat e ankthit dhe depresionit që lidhen me këtë gjendje.

Rezultatet e këtij studimi janë të rëndësishme, për shkak se shumë nga strategjitë aktuale të trajtimit për fibrilacionin atrial përfshijnë procedura invazive, apo ilaçet me efekte të padëshirueshme, ka thënë dr. Dhanunjaya Lakkireddy, një profesor nga Universiteti i Kanzasit, SHBA. Në këtë studim kishin marrë pjesë 49 pacientë me çrregullime të ritmit të zemrës, të cilët nuk kishin përvojë të mëparshme me jogën.

Episodet e aritmive të tyre ishin matur për një periudhë gjashtëmujore. Me këtë rast, sikur që thamë, është parë se joga përgjysmon rrezikun nga paraqitja e aritmisë. Por, shkencëtarët kanë thënë se duhet të bëhen studime më të mëdha, respektivisht me një numër më të madh të pjesëmarrësve.