Grimi midis artit dhe biznesit

Kanë filluar duke “eksperimentuar” me fytyrat e kukullave e të shoqeve dhe kanë përfunduar duke qenë pjesë e pandashme e klipeve dhe xhirimeve të ndryshme.

Vetëm një vijë e hollë e ndan këtë punë midis artit dhe biznesit. Në kryeqytet ka sallone ku çmimi që duhet paguar për grim tejkalon edhe pagën minimale në Kosovë, 130 euro. Konkurrenca është e fortë.

Me çmime prijnë ato që kryejnë shkollë për këtë punë. Prej atyre që e kanë profesion të parë e deri te grimerja që braktisi mjekësinë për të bërë grim, lista e tyre është e gjatë.

”Është një ndër profesionet e pakta që mund të punohet pa ndihmën e natyrës”, ka thënë Sellma Kasumoviq, njëra ndër grimeret më të shtrenjta dhe më të kërkuara të vendit. Vetëm në rrjetin social “Facebook” ajo tashmë ka siguruar 30 mijë e 779 adhurues të punës së saj.

“Është dhunti natyrore talenti im për grim, i cili në fillim ishte pasion, por që tani ka kaluar në profesion”, thotë Kasumoviq, e cila ka mbaruar studimet në Fakultetin e Arteve në UP dhe është certifikuar për shkollat profesionale për make-up, që i ka përfunduar jashtë vendit.

Përveç punëve të zakonshme që kryejnë nëpër studiot e veta, grimeret kanë zënë vend si staf i pandashëm i këngëtarëve. Përderisa në shtetet e tjera e kanë të obliguar të kryejnë studime për të qenë një make-up artist, në Kosovë shumica e fillojnë këtë punë si art apo edhe si zanat.

Tesa Gashi (21) dhe Florentina Tafolli (27), njëra nga Prishtina e tjetra nga Suhareka, nuk janë shkolluar për të qenë grimere, por atë punë e bëjnë vetëm nga talenti që kanë.

Gashi, e cila momentalisht merret me angazhime të tjera për profesionin e saj, punën e grimeres e sheh me syrin e artistes.

Ajo e realizon grimin në një mënyrë shumë të veçantë. Nata e Shtrigave është një ditë tejet e ngarkuar pune për të.

“Grimin e konsideroj si një pjesë të veçantë të artit. Përderisa profesion kam diçka krejt tjetër, grimi prapë mbetet një ndër pasionet që më lidhin me art”, ka thënë Gashi.

Ajo ka synuar t’u shmanget shablloneve të krijuara deri më tash dhe është munduar të sjellë diçka krejt ndryshe.

“Arsyeja që më ka lindur dëshira për t’u marrë me grim ishin filmi, teatri dhe fotografia. Mendoja që kreativiteti i grimit mund të shprehej në një mënyrë shumë unike”, ka shtuar ajo.

Edhe pse e re në moshë dhe puna e saj ka startuar vetëm para një viti, nëpër duart e saj kanë kaluar shumë këngëtare të famshme të estradës.

Talentin e saj ajo së pari e shfaqi në rrjetin social “Facebook”, ku ka arritur të krijojë shumë fansa dhe nga aty kanë filluar kërkesat.

Kolegia e saj Tafolli ia ka mësyrë të futet në treg pikërisht me çmimet e ulëta në krahasim me sallonet në kryeqytet. Ajo e pranon se bën grim për biznes. Ka më hesap të bëjë grim sesa të ushtrojë profesionin për të cilin ka diplomë.