Fustani in zi – veshja “kyç” e gardërobës femërore

fustani-in-zi-veshja-quot-ky-ccedil-quot-e-gard-euml-rob-euml-s-fem-euml-rore_hdFustani i zi, tash e 88 vjet vazhdon të qëndrojë në maja me një fuqi joshëse. A thua, Coco Chanel do ta kishte imagjinuar ndonjëherë që krijimi që po dilte nga duart e saj do të do të ishte pas kaq vitesh akoma një simbol.

Numër një, dhe i pavdekshëm, fustani i zi, u prezantua për herë të parë në Paris më 1926 nga stilistja transgresive Gabrielle Coco Chanel. Fustanin e shkurtër të zi, pa mëngë, të gjatë vetëm 70 cm, Chanel e kishte krijuar për t‘i treguar botës se ishte në zi për vdekjen e të dashurit të saj. Por, fustani me tonalitet krejt të zi nuk ka një histori kaq të thjeshtë në revolucionin që i bëri veshjes femërore. Mjafton të përmendim faktin se ngjyra e zezë në vendet perëndimore lidhet me zinë, të cilën një femër duhet ta mbante veshur deri në dy vjet nëse bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta. Kjo traditë është respektuar në mënyrë rigoroze në vendet perëndimore deri në fund të viteve ‘80, ndërkohë që tek ne është ende pjesë e traditës së zisë. Ndaj, kundër këtij këndvështrimi, shfaqet në vitin 1939, personazhi i Rossella O’Hara-s në filmin kult “Gone with the Wind”, e cila edhe pse me një veshje “korb të zi” kërcen e lumtur me partnerin e saj.Nga prerja e gjatë tek “cocktail dress”, pas viteve ’30 fustani i zi nis t’i largohet paragjykimeve. Ai fillon të vishet nga femrat, kryesisht gjatë orëve kur dilnin për aperitiv, ose të njohura ndryshe si “happy hour”. Pija, e cila në këto epokë të Amerikës konsumohej kontrabandë, nis të hollohet dhe kështu lindi kokteji, i cili u kthye në stil jetese; po një stil jetese ka nevojë dhe për veshjen e duhur. Kështu, fustani i zi shkurtohet, i hiqen mëngët dhe shfaqet me të çara të theksuara pas shpine. Shtohen perlat e bardha apo aksesorët me smeralde. Pikërisht në vitin 1927, fustani i zi bëhet pjesë e pandashme edhe e veshjes për kërcim. Ikona e kësaj epoke është balerina Martha Graham, fustanet dhe stili i të cilës nxirrte në pah bukurinë e trupit femëror.

Edhe kinemaja, në periudhën e artë të Hollywood-it përfshihet nga magjia e fustanit të zi. Adrian, rrobaqepësi i yjeve të atyre viteve krijon fustane të mrekullueshme në këtë ngjyrë për Greta Garbon, Joan Crawford dhe Katharine Hepburn. Një tjetër ikonë e periudhës, por e formatit të filmit vizatimor, është Betty Boop. E krijuar nga Max Fleisher, Betty ka forma tejet sensual të theksuara nga një fustan i zi dekolte.

Lufta që nuk e mundi! 
Në vitin 1944 revista Vogue shkruan se, dhjetë në dhjetë gra kanë një fustan të zi, madje po dhjetë në dhjetë, duan të kenë edhe një tjetër. Dukshëm lufta e dytë botërore, nuk arriti ta mundë efektin e fustanit të zi dhe shijen për elegancë tek femrat. Modeli prej sateni, i krijuar nga stilisti Jean Louis për aktoren Rita Hayworth tek filmi “Gilda” 1946, bëri histori. I thjeshtë, por me një qepje elegante mbi mes, ai fustan, që në fakt u pre i tillë për të fshehur shtatzëninë e aktores, u kthye në një prej modeleve më të shitura.

Në 12 shkurt të vitit 1947, Christian Dior rikrijon veshjen me atë që do të njihet si “new look”, duke nxjerrë sa më, në pah format femërore. Hubert del Givenchy prezanton koleksionin e tij të parë në vitin 1952, dhe dy vite më pas debuton në kinema duke veshur Audrey Hepburn në filmin “Sabrina”. Përsëri fustani i zi bën që të flitet për të.Ndërkohë, Christian Dior vazhdon të bëj lajm duke e shkurtuar disa centimetra fustanin dhe duke krijuar prerje sipas disa germave të alfabetit. Lindi kështu linja A (një siluetë e ngushtë lart dhe e gjerë në fund), ajo H (e drejtë dhe e hollë) dhe linja Y (e gjerë tek shpatullat dhe e ngushtë drejt fundit). Vdekja e Dior në vitin 1957 tronditi botën e modës, por po kaq habi sjell edhe pasuesi i tij Yves Saint Laurent, i cili propozoi linjën e tij mitike në formë trapezi.