Dieta ‘Sonoma’ – mënyra e shëndetshme e të ushqyerit mesdhetar nga Kalifornia

Varianti amerikan i dietës mesdhetare vjen nga Kalifornia, ndërsa emrin dieta ‘Sonoma’ e ka marrë nga rajoni kalifornian me të njëjtin emër, i njohur për mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit dhe mënyrës aktive të të jetuarit.

Bazohet në ushqime tipike mesdhetare: pemë, perime, mish pa yndyrë, mish peshku, drithëra dhe pemë me lëvozhga. Por kjo dietë është karakteristike për theksimin e rritur në verëra.

Në librin ‘The Sonoma Diet’, autorja e dietës – ekspertja e njohur amerikane e dietave Dr. Koni Gatersen, vëmendje të veçantë i kushton kombinimit të ushqimit me verëra kualitative (veçanërisht të zezave). Për shkak të efektit të dobishëm për shëndetin e sistemit kardiovaskular, verë duhet pirë çdo ditë, por në sasi të caktuar, ka theksuar Gatersen.

E pasur me ushqime të shëndetshme e të shumëllojshme, ndërsa e privuar nga kufizimet e ashpra dhe numërimi i kalorive të humbura, dieta ‘Sonoma’ është për njerëz të cilët duan të humbin peshë dhe të adoptojnë shprehi të mënyrës së shëndetshme të të jetuarit. Përveç që thekson rëndësinë e verës, autorja e dietës këmbëngulë në rolin e jashtëzakonshëm të shijimit të ushqimit gjatë dietës. Dieta e cila propagandon ushqime të pashijshme është e dënuar që të dështojë, pohon Gaterson. Për këtë arsye recetat e shëndetshme të cilat ofrohen në librin e saj janë të mbushur me shije dhe aroma dhe mundësojnë një kënaqësi të plotë gjatë ushqimit. Në vend të heqjes dorë nga ushqimi kjo dietë, e ndarë në tri valë ose faza, ka për qëllim ndryshimin e formës së pjatës mesatare amerikane. Në fakt, bazohet në zvogëlim të porcioneve dhe në ngrënie mesatare, gjë që çon drejt jetës më të gjatë e më të shëndetshme.

Vala ose faza e parë: zgjatë gjatë dhjetë ditëve të para të dietës. Kjo periudhë është e parashikuar për të hequr dorë nga shprehitë e këqija të të ushqyerit dhe mësimit me shprehi të reja të shëndetshme. Lejohet ngrënia e perimeve, ushqimit të detit, mishit pa yndyrë, vajit të ullirit dhe në sasi të kufizuara edhe produkteve të qumështit, drithërave, pemëve me lëvozhga, kafeja ose çaji. Duke pasur parasysh se ato përmbajnë sheqer, pemët nuk janë të lejuara. Në valën e parë hiqen 1-2.5 kilogramë.

Vala ose faza e dytë: është faza më e rëndësishme e dietës dhe zgjatë deri në arritjen e peshës së dëshiruar. Pesha humbet më ngadalë se në fazën e parë, por është më efektive dhe më afatgjatë. Për një javë mund të humbet një kilogram i peshës. Hahen ushqime si në valën e parë, por në fazën e dytë lejohet konsumimi i pemëve, pak mjaltë dhe çokollatë të zezë si dhe pirje mesatare e verës.

Vala ose faza e tretë: është vala e fundit në të cilën mbahet pesha e arritur trupore. Ka për qëllim adoptimin i shprehive të të jetuarit të shëndetshëm dhe kualitativ me ushqim të pasur me pemë, perime, drithëra, mish peshku, mish pa yndyrë dhe vaj ulliri. Natyrisht, lejohen edhe “mëkate të vogla” të kohëpaskohshme, siç është çokollata e zezë dhe gjëra të ngjashme me të.

 

Shembuj të vakteve:

Kafjalli: petulla nga mielli hikrrës, omëletë me kërpudha ose vezë me djathë feta dhe kopër.

Dreka: picë greke, sandviç me mish pule ose një çorbë pikante me fasule.

Darka: Levrek nga skara me salcë pikante me perime të përziera të pjekura ose mish pule të përgatitur në mënyrë amerikane.