Ç’janë pikat e zeza?

Pikat e zeza janë një problem me natyrë gjenetike dhe hormonale. Në kushte normale, poret e lëkurës prodhojnë yndyrë e cila transportohet drejt sipërfaqes së lëkurës dhe shpërndahet në një shtresë të padukshme e cila përbën një barrierë mbrojtëse për lëkurën.

Sasia e yndyrës së prodhuar rregullohet pothuajse ekskluzivisht nga hormonet androgjene (mashkullore).

Kur yndyra nuk arrin të eliminohet nëpërmjet pores, ajo formon një amalgam me qelizat e vdekura të lëkurës duke krijuar një “tapë” të ekspozuar ndaj ajrit. Oksigjeni shkakton oksidim të yndyrës dhe materialit të vdekur qelizor duke i dhënë tapës ngjyrën e zezë.

Për të sqaruar një keqkuptim që ndodh rëndom: ngjyra e zezë ka lidhje vetëm me oksidimin dhe jo me papastërtitë e lëkurës.

Faktorë që mund të përkeqësojnë më tej situatën e pikave të zeza përfshijnë: të fjeturit me make-up, pastrimin e pamjaftueshëm të lëkurës dhe përdorimin e produkteve të caktuara kozmetike. Këto të fundit përfshijnë dhjetëra produkte kozmetike që përmbajnë përbërës të ngjashëm me yndyrën e lëkurës e cila është një përzierje trigliceridesh, acidesh yndyrore, dylli, kolesteroli dhe estere kolesteroli.

Si përfundim mund të thuhet se pikat e zeza shkaktohen nga një kombinim i predispozicionit gjenetik, “lojërave” hormonale, tipit të lëkurës (e yndyrshme ose jo) dhe produkteve kozmetike të përdorura. Pikat e zeza shfaqen pothuajse rastësisht në një ose më shumë prej poreve të lëkurës.