Çizmet këtë dimër sërish “tigër e leopard”

Format që stilistët këshillojnë këtë vit janë: Maja e rrumbullakët, takat e larta, ngjyrat e errëta përgjatë ditës dhe të fortat gjatë mbrëmjeve

 Megjithëse është dimër dhe bën ftohtë, “nevoja” për t’u veshur bukur sipas modës është në vend të parë. Një ndër pjesët që i shqetëson paksa femrat është edhe kombinimi i veshjes me këpucët apo çizmet që i shkojnë për shtat stinës së ftohtë.

Sipas stilistëve më në zë thuhet se këtë dimër do të dominojnë këpucët dhe çizmet me takë të lartë. Pra femrat që e kanë të vështirë të mbajnë këpucë të tilla iu duhet të mësohen me to…

Format më të preferuara janë të llojeve të ndryshme por kryesisht me majë të rrumbullakët. Për darka preferohen këpucë apo çizme me takë të hollë dhe shumë të lartë, me majë të rrumbullakët dhe ngjyra të theksuara që shkojnë drejt shkëlqimit.

Ndërsa për gjatë ditës stilistët këshillojnë çizme me takë me të trashë se ajo e darkave dhe të shehsta fare. Në veshjen e përditshme çizmet nuk janë shumë të gjata, ato shkojnë në stilin kauboj por me majë të rrumbullakët. Për sa u përket ngjyrave në modë për këpucë e çizme këtë dimër janë grija, kafja, leopardi, tigri dhe ngjyrat me shkëlqim diamanti.

Lëkura e leopardit ka qenë e përdorur shumë edhe vitin e kaluar por që vazhdon të jetë shumë në modë edhe këtë vit. Një fustan i thjeshtë fin mbrëmjeje i zi mund të kombinohej shumë bukur me një palë çizme leopard jo shumë të gjata, me majë të rrumbullakët dhe me takë shumë të lartë… Për sa i përket aksesorëve të tjerë ato varen nga preferenca që kanë vetë femrat që do ti veshin ato.