Antioksidantët në luftë për shëndetin tuaj

Kur sulmojnë radikalet

Brenda trupit antioksidantët janë një ushtri e vërtetë e vogël e cila na mbron nga plakja dhe sëmundjet e parakohshme. Antioksidantët do t’i gjeni në shumë ushqime, nga çaji i gjelbër e deri tek çokollata.

Hulumtimet kanë treguar që mbrojnë nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet degjenerative siç janë sëmundja e Parkinsonit dhe Alzheimerit. Po ashtu mbrojnë nyjat, qetësojnë dhimbjen, reduktojnë dhimbjen muskulore dhe lodhjen. Për shkak të shumë përparësive, antioksidantët janë definitivisht një nga ruajtësit kryesorë të shëndetit tonë.

Para se të vijmë te pjesa “anti” së pari duhet të shpjegojmë pjesën “oksidant”. Përveç nëse jetoni në Himalaje, hani ushqim tërësisht të natyrshëm dhe merrni ajër të paprekur, ju jeni vazhdimisht të rrethuar nga elementet negative që ua dëmtojnë qelizat. Madje edhe trupi juaj shkatërron qelizat e veta kur është nën stres. Këto toksina dobësojnë molekulat në qeliza, çka shkakton humbjen e elektroneve, pjesëve që ua mundësojnë qelizave të punojnë në formë të sinkronizuar. Këto molekula që nuk kanë elektrone quhen radikale të lira apo oksidante. Ato në mënyrë të shtuar i shkatërrojnë qelizat dhe në mënyrë automatike i shndërrojnë në radikale të lira, dhe si rezultat në organizmin tuaj ndodh invadimi i radikaleve të lira.

Kur krijohen radikalet e lira, dëmi zgjerohet shumë shpejt. Radikalet e lira hyjnë në enët e gjakut, zakonisht nën ndikimin e shprehive të këqija siç janë pirja e cigares apo ushqimi i fërguar. Vjen deri te rritja e nivelit të kolesterolit të keq, çka mund të dëmtojë arteret dhe shkaktojë probleme të zemrës. Drita e diellit dhe ajri i ndotur mund të krijojnë radikale të lira në sytë tuaj. Atëherë dëmtohen retina dhe kornea, për çka mund të vijë deri te problemet serioze, siç janë katarakti ose verbërimi.

Fatmirësisht ekzistojnë mënyra natyrale me ndihmën e të cilave mund të parandalohet formimi i radikaleve të lira, si dhe veprimi i tyre i dëmshëm. Mund t’i gjeni në ushqime të cilat i pëlqeni, jo vetëm në pemë dhe perime, por edhe në çokollatë, verë, madje edhe në mish të lopës. Ashtu siç tregon edhe emri i tyre, antioksodantët ndalin dëmin oksidativ dhe parandalojnë zgjerimin e dëmit në qelizat tjera.

Shtatë të madhërishmit

Trupat tanë kanë nevojë për antioksidantë të ndryshëm për të dekompozuar radikalet e lira. Çdo ditë shkencëtarët zbulojnë lloje të reja të antioksidantëve dhe veprimin e tyre të fuqishëm, por këto shtatë me arsye i takojnë grupit të të madhërishmëve, sepse janë më të fuqishmit.

Seleni

Ky është mineral i cili në organizmin tonë gjendet në sasi të vogla, por luan rol të rëndësishëm. Vepron si antioksidant dhe shpejton procesin e luftës kundër radikaleve të lira. Me një hulumtim është treguar që 200 mikrogramë selen në ditë mund të reduktohet rreziku nga formimi i çfarëdo lloji të kancerit për 18 për qind.

Burimet më të mira të selenit janë karkalecat e detit, fasulja dhe peshku, ndërsa në arrat braziliane ka më së shumti selen, madje 96 mikrogramë në 30 gramë të arrave braziliane.

Vitamina E

Ky antioksidant na mbron nga sëmundjet e zemrës, forcon imunitetin dhe ndihmon të ndalet dëmtimi i qelizave që çojnë deri të krijimi i kancerit të lëkurës. Po, pjesa më e dashur për ne e kësaj vitamine është që ngadalëson plakjen e lëkurës. Në një hulumtim është treguar që madje 15 miligramë vitaminë E në ditë, në mënyrë të konsiderueshme e ngadalësojnë krijimin e rrudhave.

Vitaminën E do të gjeni në farat e lulediellit, lajthi, arra, bajame, gjalpë të kikirikut dhe ve.

Vitamina C

Përveç që mbron nga ftohjet, po ashtu mbron edhe ADN-në dhe i ndihmon trupit që në mënyrë më efikase të përdorë vitaminën E. Hulumtimet kanë treguar që mbron enët e gjakut dhe redukton rrezikun nga lindja e sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru. Vetëm 75 miligramë në ditë do të reduktojnë dukshëm rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe sulmit në tru.

Burimet e vitaminës C janë speci, brokoli, domatet, lakra, limoni, kivi, grejpi dhe portokalli. Burimi më i mirë i vitaminës C është papaja, nga i cili përfitoni madje rreth 190 miligramë vitamina C për fryt.

Karotenoidet

Këto pigmente mbrojnë sytë dhe lëkurën nga veprimi i dëmshëm i diellit. Me një hulumtim është treguar që konsumimi i beta karotenit, i cili është një nga karotenoidet e shumta, redukton rrezikun nga degjenerimi makular, shkaktari kryesor i verbësisë.

Burimet më të mira të karotenoideve janë karota dhe spinaqi.

Izocianatet

Këto antioksidante kanë fuqi të madhe në parandalimin e formimit të qelizave të kancerit. Edhe pse shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar dozën e rekomanduar ditore të izocianateve, me një hulumtim është përcaktuar që konsumimi i rregullt redukton rrezikun nga formimi i kancerit të fshikëzës së urinës për madje 29 për qind.

Burimet më të mira të izocianateve janë brokoli, lakra e brukselit dhe lulelakra.

Polifenolet

Janë defenitivisht një nga antioksidantët e preferuar, sepse do t’i gjeni në ushqimet e preferuara. Janë aq të fuqishme saqë reduktojnë rrezikun nga humbja e kujtesës dhe çrregullimeve degjenerative siç janë dementia ose sëmundja e Alzheimerit. Me një hulumtim është përcaktuar që reduktojnë nivelin e dy llojeve të baktereve që shkaktojnë sëmundjen e mishit të dhëmbëve. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë përcaktuar dozën e rekomanduar ditore të polifenoleve.

Burimet më të mira janë çokollata e zezë, vera e kuqe, çaji dhe kafeja.

Koenzima Q10

Është dëshmuar e shkëlqyeshme në parandalimin e migrenës dhe ruajtjen qelizave të trurit. Ky antioksidant i fuqishëm redukton tensionin e gjakut dhe është i shkëlqyeshëm për shëndetin dhe pamjen e lëkurës.

Burimet më të mira janë mishi i payndyrshëm i lopës, gjoksi i pulës dhe të gjitha llojet e peshkut.

E dini që duhet t’i konsumoni, por me siguri nuk e dini se sa. Lajmi i mirë është që me siguri nuk do ta teproni. Antioksidantët bllokojnë radikalet e lira dhe parandalojnë depërtimin e tyre më thellë në lëkurë. Industria kozmetike me metoda laboratorike redukton molekulat antioksidative që të munden më lehtë të hyjnë nëpër pore.

Për këtë arsye, vendosja e kremit në fytyrë do t’ju ndihmojë, por nëse një copë papajë apo mish lope e vini në fytyrë, kjo nuk do të ketë asnjë efekt. Prandaj duheni të kombinoni produktet kozmetike bashkë me konsumimin e antioksidantëve përmes ushqimit. Nëse nuk jeni të sigurt në kualitetin dhe efektin e produkteve, në përbërje të produktit shikoni nëse përmban të paktën një nga shtatë antioksidantët e madhërishëm që ta dini nëse do të veprojnë vërtet.